Lipjani në hall me Ministrinë e Infrastrukturës, kërkon llogari për projektet që s’u realizuan

Lipjani në hall me Ministrinë e Infrastrukturës, kërkon llogari për projektet që s’u realizuan

Komuna e Lipjanit është në fazën e implementimit të disa projekteve të ndryshme të parapara me buxhet. Por i pari i këtij qyteti, Imri Ahmeti thotë se po kanë probleme me Ministrinë e Infrastrukturës, pasi kjo e fundit nuk i ka zhvilluar projektet e parapara me buxhet të vitit të kaluar.

Ahmeti thotë për KosovaPress se nuk mund të evidentojnë ndonjë problem shqetësues në implementimin e memorandumeve, ndërsa shton se Ministria e Infrastrukturës është kompetente për të sqaruar arsyen e mosimplementimit të projekteve të parapara.

Për më tepër, ai thotë se kjo e fundit duhet të jap përgjegjësi pasi si komunë kanë kryer të gjitha obligimet në raport me këto projekte.

Ahmeti: Problemin më të madh e kemi me Ministrinë e Infrastrukturës

“Problemin më të madh e kemi me Ministrinë e Infrastrukturës. Janë disa projekte që nuk janë implementuar vitin e kaluar. Kanë qenë të buxhetuara në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës, siç është rreth-rrotullimi tek udhëkryqi i Banullës dhe disa projekte tjera. Pres që këtë vit të implementohen sepse prapë janë të buxhetuara në MI, te shohim gjatë vitit… 4:11 Unë besoj se Ministria është relevante, kompetente për të sqaruar pse nuk i kanë implementu, sepse buxheti është i tyre, i Ministrisë, komuna ka kryer të gjitha obligimet e veta në raport me këto projekte”, shprehet ai.

Për Ahmetin, ky është mandati i dytë në krye të qytetit. Megjithatë, kur flet për punët që janë bërë, me modesti thotë se është akoma herët për të ditur nëse do të mund të implementohet gjithë agjenda e paraparë me buxhet të komunës.

Ndërsa, shprehet optimist se deri në vjeshtën e këtij viti do të përmbyllen projektet që janë për këtë vit.

Sa i përket realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës, thotë se do të shihet me kohë nëse do të arrijnë t’i realizojnë të gjitha.

Ahmeti: Do t’i përmbushim premtimet që i kemi dhënë më parë

“Mund ta konfirmoj se do t’i përmbushim premtimet që i kemi dhënë para opinionit sepse e kemi pasur buxhetin e matshëm, i kemi detektuar me kohë të hyrat buxhetore që mund të ketë komuna që janë të dedikuara për të hyrat buxhetore dhe njëkohësisht paralelisht me të hyrat buxhetore dhe me mundësinë e absorbimit të buxhetit shtesë e kemi ndërtuar buxhetin për katër vitet e ardhshme në kuptimin e investimeve kapitale. Prandaj, jam shumë i bindur që ne do të arrijmë me kohë të implementojmë premtimet tona”, deklaron ai.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me dy komunat arbëreshe të Italisë, duke dhënë detaje për memorandumin e binjakëzimit me komunat Frascineto dhe Civita.

Ahmeti: Presim të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit

“Bashkëpunimi ka të bëjë kryesisht në fushën kulturore sa për fillim të ndërtimit të raporteve në mes të komunave italiane dhe komunës tonë. Ka qenë vetëm takimi i parë ceremonial i nënshkrimit të marrëveshjeve me këto komuna. Në qershor pritet të kemi një vizitë atje, për të detalizuar dhe për të parë mundësitë konkrete mes komunave. Presim shumë që në fushën e kulturës dhe arsimit të gjejmë mundësi të bashkëpunimit mes komunave tona”, thotë ai.

Për qytetin e Lipjanit, një rëndësi të jashtëzakonshme ka parku i biznesit, i cili zë një vend të veçantë në planet komunale për zhvillim. Për këtë qëllim, tash së voni kjo komunë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë për investime të fazës së dytë në parkun industrial – Qylagë.

I pari i qytetit, thotë se ky projekt do të finalizohet brenda 2 viteve të ardhshme.

Ahmeti: Brenda dy vitesh, parku do të funksionalizohet tërësisht si zonë

“Parku i biznesit është projekt më afatgjatë me një kosto pak më të madhe financiare, kosto rreth 3 milionë euro. Besoj se gjatë 2 viteve të ardhshme, nëse vazhdohet me financim të përbashkët të MTI-s dhe komunës, do të funksionalizohet tërësisht si zonë. Ne jemi të interesuar që parcialisht ta funksionalizojmë, për arsye që ët mos presim gjatë. Investimin e tërësishëm të gjithë zonës, ku do ta ndajmë në pjesë të ndryshme”, shprehet ai.

Ahmeti ka folur edhe për kuotën gjinore, me ç’rast ka theksuar se sikurse në partinë e tij, LDK-n, po ashtu edhe në komunë, ka një numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave që sipas tij, marrin mbështetjen e publikut me punën e vet.

E megjithëkëtë, ai shprehet pro kuotës, pasi thotë se Kosova ndodhet në demokraci fillestare.

Ahmeti: Kuota mbetet e domosdoshme tek ne

“(Kuota) Mendoj se është e domosdoshme akoma. Ne jemi në demokracinë fillestare në Kosovë dhe derisa të ndërtohet një demokraci pak më e mirëfilltë, ku gratë do të jenë në kuptimin meritor më të përfaqësuara, kuota detyron partitë politike me përfshi në lista dhe krijon mundësi që ato të marrin besimin pastaj të publiku. Unë mendoj që është e nevojshme edhe për një kohë të gjatë me mbet”, u shpreh ai.

Krejt në fund, ai ka folur edhe për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ku ka thënë se komunat e kanë të vështirë të nxjerrin një konstatim të matshëm lidhur me efektin e saj për bizneset vendore. Ndërkohë ka shtuar se nga publiku, kjo tarifë është vlerësuar të jetë veprim popullist.

Previous Ligjvënësit britanikë kërkojnë që Assange të ekstradohet në Suedi
Next “Shqipëria, nën një ‘grusht shteti”, ish-deputeti i PD-së flet para protestës: Në këto kushte…